Stafi

Vetëm pak javë më parë, Qendra Kombëtare e Sigurisë, Cilësisë dhe Akreditimit të institucioneve shëndetësore akreditoi 5 institucionet e para shëndetësore në Shqipëri. Ky proces, i vënë si kusht nga Bashkimi Europian, realizohet për herë të parë në vendin tonë. Vetëm duke qenë i akredituar një spital, laborator apo klinikë që ofron shërbim shëndetësor, ka të matshme indikatorët e cilësisë së shërbimit që u ofron pacientëve.

Intermedica është laboratori i parë në vend që ka kaluar me sukses këtë provë. Me një eksperiencë 15-vjeçare në ofrimin e gjithë gamës së analizave mjekësore, ky laborator ka tashmë një tjetër armë të fortë. Administratori i “Intermedica”, Vasil Llajo, në intervistën e tij për gazetën, shpjegon hapat nëpër të cilat kaloi procesi i akreditimit me filozofinë se standardet duhet të ofrohen jo vetëm kur kërkohen ligjërisht, por si detyrim për t’u dhënë pacientëve maksimumin e shërbimit në çdo kohë.

Laboratori mjekësor “Intermedica” është i pari laborator që ka kaluar testin e cilësisë dhe është akredituar në Shqipëri. Mund të na thoni si u finalizua ky proces?

Kontrolli i cilësisë (Quality Control QC) për institucionet shëndetësore është një detyrim i të gjitha shteteve anëtare të Bashkimit Europian dhe i atyre që duan të anëtarësohen në BE. Shqipëria arriti, për fat të mirë, ta plotësojë këtë kriter duke ndërhyrë në legjislacion dhe duke ngritur institucionet e kontrollit dhe akreditimit të institucioneve shëndetësore. Është për t’u përgëzuar ngritja e Qendrës Kombëtare të Cilësisë, Sigurisë dhe Akreditimit të institucioneve shëndetësore (QKCSA-ISH). Në këtë mënyrë, kontrolli i cilësisë kthehet në detyrim. Koha kur një laborator, klinikë apo spital futet në procesin e akreditimit, varet nga aftësia që ky institucion ka për t’iu përgjigjur kërkesave.

Duke u bazuar mbi ambicien tonë për të qenë të parët në tregun mjekësor, kishim kohë që po përgatiteshim për certifikatën e cilësisë, sepse ashtu siç ofrojmë shërbime me metodat më bashkëkohore në laborator, donim të ishim konform rregullave dhe standardeve që kërkon komuniteti europian për akreditimin. Fillimisht kishim vendosur të ndiqnim rrugën private të akreditimit për të marrë certifikatën, por me konsolidimin në shtet të strukturave të kontrollit vendosëm të bëheshim pjesë e procesit aty. Në fakt, nisja e kësaj procedure na gjeti pothuajse të gatshëm.

Në çfarë kuptimi ju gjeti thuajse të gatshëm nisja e procesit të akreditimit?

Në kuptimin që ne si laborator operojmë në treg prej vitesh duke garantuar cilësi dhe qëllimi ynë nuk është që ta ofrojmë atë vetëm kur kthehet në detyrim ligjor. Procesi i akreditimit është një proces që automatikisht garanton cilësi mbi matjen e standardeve. Bëhet fjalë për kritere të qarta shkencore, të cilat kur plotësohen, dëshmojnë që ofrohet një shërbim i saktë shëndetësor. Prandaj ne kemi përshëndetur vendimet e njëpasnjëshme të qeverisë, si atë për ngritjen e strukturave të kontrollit, por edhe të fundit, i cili i hapi udhë akreditimit.

Nga Qendra Kombëtare e Cilësisë, Sigurisë dhe Akreditimit, që në vitin 2008 na ka ardhur lista e standardeve që duhet të plotësonim. Bëhej fjalë për 149 standarde të matshme. Ne vazhduam përgatitjet për të adaptuar më mirë punën tonë konform këtyre kërkesave. Më tej, në vitin 2011, pas vendimit të qeverisë për nisjen e procedurave të akreditimit, ishim të parët që dërguam kërkesën për akreditim. Në tetor të 2011-s u njoftuam se do t’i nënshtroheshim kontrollit përfundimtar nga komisioni i vlerësimit të standardeve.

Cilat ishin rezultatet e këtij vlerësimi?

Vlerësimi, siç e dini, është me pikë. Nga 471.5 pikë maksimale të vendosura, ku përfshihen edhe standardet e së ardhmes, laboratori “Intermedica” mori 457.25 pikë. Kjo është një dëshmi e qartë e cilësisë së shërbimit që ofrojmë. Më duhet të theksoj se ofrojmë të gjitha llojet e analizave që përmban literaturë botërore. Analizat kryhen me analizatorin robot (roche-cobas-6000), i cili është i vetmi në tregun shqiptar si privat dhe shtetëror. Së dyti, kemi një marrëveshje me shkrim me laboratorin më të madh të analizave në Athinë (BIO-MED), i cili ka marrëveshje me klinikën më të madhe në botë (MAYO) për analizat, që ndodhet në SHBA. Pra jemi pjesë e një zinxhiri Tiranë-Athinë-SHBA.

Një analizë që një pacient shqiptar kryen te ne mund të shkojë deri në SHBA, por ky pacient i merr përgjigjet po këtu për diagnoza të veçanta. Realizimi i këtij shërbimi është detyra jonë. Konkretisht, përpara një muaji u dërguan në SHBA analizat e një fëmije te Pediatria. Për të mbajtur përgjegjësinë ligjore, fletën e analizave e shoqërojmë me përgjigjen origjinale.

Çfarë përfitojnë qytetarët më shumë nga një laborator i akredituar dhe a ka kosto më të lartë për ta?

Përfiton sigurinë e një shërbimi cilësor dhe me standarde. Sigurisht që nuk ka kosto më të lartë, sepse ajo që na intereson është t’u shërbejmë qytetarëve dhe jo të rrisim çmimet tashmë që jemi të akredituar. Ne nuk e përmirësuam laboratorin tonë për të marrë certifikatën.

Ne kërkuam kontroll mbi ato standarde që kishim, dhe kjo na diferencon duke qenë thelbi i synimeve tona për të garantuar cilësi për pacientët. Më duhet të shtoj se jemi i vetmi laborator që për çdo minisektor të analizave kemi mjekë me tituj shkencorë, dhe jo laborantë që kryejnë ekzaminimet. Personeli është gjithashtu i rëndësishëm po aq sa edhe teknologjia. Kjo është një nga armët e forta të laboratorit “Intermedica”.

Call Now ButtonTelefono Tani