PAP TEST

Kryerja e Pap Testit zgjat vetëm pak minuta, pasojat e kancerit të qafës së mitrës zgjasin gjithë jetën. Zgjidh parandalimin.

 

Pap Testi është një test skrinues, që mund të kryhet edhe në gratë e shëndetshme, pa ndonjë shenjë të sëmundjes dhe shërben për të zbuluar tumoret e hershëm të qafës së mitrës, ose ndryshimet që me kalimin e kohës mund të shkaktojnë këtë sëmundje. Implementimi i tij ka kontribuar ndjeshëm në uljen e vdekshmërisë nga kanceri i qafës së mitrës. Ky është një ekzaminim që duhet të kryhet rregullisht, çdo tre vjet, nga të gjitha gratë pas fillimit të aktivitetit seksual ose të paktën nga mosha 25 vjeç.

 

Cilat janë kushtet për kryerjen e Pap Testit?

Ekzamini duhet të kryhet në kushtet e mëposhtme:

  • Të kenë kaluar 24-48 orë nga kryerja e marrëdhënieve seksuale.
  • Të kenë kaluar të paktën 5 ditë nga përfundimi i ciklit menstrual.
  • Gjatë 2-3 ditëve para ekzaminimit këshillohet mospërdorimi i medikamenteve vaginale (ovula, kremra ose lavazhe vaginale, etj.).
  • Në 2 ditët para kryerjes së testit, nuk duhet të bëhet asnjë ekzaminim gjinekologjik ose ekografi transvaginale.
  • Nuk rekomandohet nëse ka prezencë të infeksionit bakterial. 

Pse është një ekzaminim tejet i rëndësishëm?

Pap Testi mund të detektojë tumorin e qafës së mitrës para se ky të zhvillohet dhe, siç e dimë të gjithë, diagnoza e hershme në sëmundjet e kancerit mund të shpëtojë jetën.

Në fakt, kanceri i qafës së mitrës është shumë i fshehtë, duke paraqitur simptoma vetëm në një fazë shumë të avancuar, kur patologjia është pothuajse gjithmonë e papërmirësueshme.

Ju ftojmë të kryeni këtë testim kaq të rëndësishëm për shëndetin tuaj pasi kontrollet periodike janë forma e vetme e mundshme e parandalimit.

Call Now ButtonTelefono Tani